TIRANE - Konfindustria Shqiptare dhe Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, i kërkojnë Kuvendit të Shqipërisë miratimin e Ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve, që u kundërshtua nga opozita dhe u kthye për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës.
Ata e quajtën një ligj që është në interes të zhvillimit të biznesit në vendin tonë, rritjes së punësimit, mbrojtjes së mjedisit dhe ambientit.
Presidenti i KASH-it, Enver Ferizaj, tha se: "Konfindustria dhe KASH si dy nga institucionet që përfaqësojnë biznesin në fushën e agropërpunimit dhe industrisë së ndërtimit, i kërkojnë Qeverisë të akordojë fonde për ndërgjegjësimin e qytetarëve në seleksionimin e mbeturinave që në burim në tre kategori (plastike, qelq e karton)".
"Ne kërkojmë, që bizneset e këtij sektori, produktin e prodhuar të kenë mundësi t’a eksportojnë në vendet e Bashkimit Europian, nga ku dhe importohen keto mbetje. Në një kohë që sot në vendin tonë fabrikat e riciklimit përpunojnë rreth 30% të mbetjeve të vendit dhe 70% të importit, ndërkohë që Shqipëria ka kapacitet për të përpunuar 800 mijë tonë mbetje inorganike në vit".
Presidenti i Konfindustrisë, Hajredin Fratari foli për sigurinë doganore të importit të mbetjeve. "Kapacitetet aktuale të kontrollit në pikat doganore të Shqipërisë janë në një nivel të lartë sigurie". Sipas tij, doganat shqiptare tashmë janë certifikuar nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe siguria e kontrollit garanton zbatimin e ligjit për importin e mbetjeve.
KASH dhe Konfindustria theksojnë se riciklim i mbeturinave, do të thotë më pak plehra dhe mbeturina nëpër rrugë. Ndërkohë që kjo shihet me dyshim nga ambientalistët.
Bashkimi Europian ka një listë të gjelbër me mbi 200 produkte që lejohet të riciklohen, të importohen dhe eksportohen, ndërsa Ministria e Mjedisit e ka ngushtuar në minium, duke lënë vetëm 11 produkte.