Delegacioni piemontez në takim me K/ministrin Berisha

TIRANE - Fqini ynë përtej Adriatikut vazhdon të udhëheqë investimet dhe shkëmbimet tregtare me Shqipërinë, tokën e puthur nga Dielli, që krijon kushte të mira për investime në sektorin e energjisë, agrikulturës apo ndërtim. Këtu duket se sot i kanë sytë të gjithë. Një delegacion nga Piemonte u ndalën për dy ditë në Tiranë në një serë takimesh me liderë të politikës dhe biznesit në vend.

Delegacioni pati një takim me Kryeministrin Sali Berisha, Zv.Ministrin e Ekonomisë Eno Bozdo, Kreun e Qarkut të Tiranës Tahsim Mema.

''Janë rreth 60,000 mijë ndërrmarrje të mesme e të vogla të rregjistruara në konfederatën e CNA-së të cilët e shohin Shqipërinë si një vend potencial për investime të drejtpërdrejta'', tha Presidenti i CNA-së në Torino Francesco Cudia, çfarë u vlerësua dhe nga Kreu i Qeverisë Sali Berisha, i cili e priti pozitivisht dhe inaugurimin e zyrës së Konfindustrias Shqiptare në Torino me datë 24 Shtator të këtij viti, eveniment ku ai u ftua të merrte pjesë.

Presidenti i Nderit i Konfindustrias Shqiptare në Torino, iniciator i takimit Giovanni Firera foli për zonat industriale në veri të Italisë, ku ndodhen të gjitha lehtësirat e nevojshme të bashkëpunimit me bizneset shqiptare. ''25 përfaqsues të ndërrmarrjeve potencialisht të interesuara për investime në Shqipëri, sot janë këtu për të parë konkretisht mundesitë që ekzistojnë. Vendi ka terren të rëndësishëm i favorizuar sidomos nga Qeveria Shqiptare falë politikave të saj lehtësuese për investitorët e huaj'', tha Firera.

Në takim u diskutua për mundësinë e ngritjes së një sistemi të garancisë financiare përmes bashkëpunimit të një banke shqiptare me një italiane, me qëllim garantimin e investimeve italiane të suksesshme në Shqipëri.

Përfaqësuesit italianë theksuan nevojën e themelimit të një Parku Industrial për krijimin e kushteve më të mira për sipërmarrjet italiane që sjellin ide e ndërmarrin iniciativa të mira për zhvillim.
Delegacioni me Zv. Ministrin Eno Bozdo

''Qeveria Shqiptare do të mbështesë iniciativat që do të rrjedhin nga ky bashkëpunim'', tha Kryeministri i cili i njohu investitorët italianë me mundësitë e pafundme që ofron Shqipëria për sa i përket investimeve, duke nisur nga fusha e energjisë se rinovueshme, turizmi malor e deri te sipërmarrjet e përpunimit të vajit të ullirit apo të arroreve. ''Kjo mundësohet në sajë të një klime të favorshme të krijuar në tërësi, në ndihmë të biznesit dhe të një kuadri rregullator shumë lehtësues për mjedisin'', tha ai.

Në takimin me Zv. Ministrin e Ekonomisë Eno Bozdo, ky i fundit tha se: ''Politika shqiptare ka prioritet të saj thithjen e investimeve direkte në sektorin e industrisë mekanike, industrisë së lehtë, apo të energjisë elektrike. Në Shqipëri, bizneset mund të rregjistrohen me të njëjtat proçedura biznesi si në Itali. Dallimi është se në Tiranë, ata mund t'i përfundojnë brenda një ore të vetme të gjitha këto'' tha Bozdo.
Në bisedën që Presidenti i Konfindustrias Shqiptare Ing. Hajredin Fratari pati me imprenditorët foli për potencialet që ka bashkëpunimi me bizneset e huaja.

Ai përmendi sukseset që kanë ardhur nga ky bashkepunim me disa ndërrmarrjeve të rëndësishme shqiptare si ''Cotonella'' që sot prodhon në vend 85% të prodhimeve të kësaj firme italiane.

Ai shprehu gadishmërinë e Konfindustrias Shqiptare për bashkëpunim me bizneset e huaja.

Një bisedë mjaft miqësore u zhvillua dhe në Qarkun e Tiranës me kryetarin Tahsim Mema.

Ai foli kryesisht për përpjekjet që ka bërë Qeveria Shqiptare për lehtesimin e proçedurave të investimeve, dhe fakti që Italia është një ndër miqtë dhe partnerët më të mirë sot, është dëshmi e e nje suksesi.

''Unë shpresoj, që ne do te takohemi përsëri për t'i dhënë një vijimësi këtij takimi'', tha Mema i cili me pas i dhuroi simbolin e kryeqytetit te Tiranes Presidentit te CNA-se Francesco Cudia. Në fund të takimit, palët shprehen dëshirën e vazhdimsisë së projekteve të përbashkëta shqiptaro-italiane.

Intervistat/ Presidenti i CNA-së Piemonte Francesco Cudia. ''Ekzistojnë mundësi të mira. Kemi nevojë për infrastrukturë''

''Takimi me K/ministrin Berisha ishte vendimtar për të parë mundësitë e zhvillimit të kompanive tona të cilat duan të shtrijnë bizneset e tyre jashtë Italisë. Vendi po jeton një moment brilant, me njerëz që kanë kapacitete të jashtëzakonshme intelektuale. Popullsia ka moshë të re, politika të mira fiskale dhe terren për investime..

Ku i shihni mundësitë më të mira dhe çfarë i mbështet këto mundësi?

''Shqipëria ka potenciale të mira investimi në energji, ndërtim tek produktet natyrale ato që lindin nga toka, sepe vendi ka klimë shumë të favorshme, çfarë shumë vende të tjera nuk e kanë. Integrimi i vendit do t'i hapë shumë rrugë dhe mundësi gjithë kësaj. Mos harroni se vendi juaj ka terren të aftë të përballojë ndërhyrje që në shumë vende të tjera është e pamundur të përballohen, por vendi dhe investitorët e huaj kanë nevojë për infrastrukturë, rrugë që lidhin me qytetet e tjera. Kjo u jep shpejtësi dhe u kursen kohë biznesmenëve. Flas për rrugë, hekurudha autostrada transporte të shpejta dhe të sigurta. Sapo infrastruktura të jetë gati të gjithë mund të lëvizin me shpejtësinë e Europës, flas për Europën e re jo të vjetrën. Shqipëria është e aftë të përballojë ndërhyrje që në shumë vende të tjera janë të pamundura të përballohen''.

Giovanni Firera, për shqiptarët i njohur si Konsulli Honorar i Shqipërisë në Piemonte

''Italia mbetet vendi i parë për interesa ekonomike të Shqipërisë. Sot vendi është i orientuar drejt një zhvillimi të shpejtë ekonomik, për arsye të drejta të afrimit me Europën. Kjo tregon një progres të shpejtë qoftë industrial dhe ekonomik. Eshtë nder të përfaqësoj organizatën e Konfindustrias Shqiptare në Itali, meqë zgjedhja e kësaj detyre të rëndësishme është shenjë e vlerësimit të punës sime si Konsull Honorar. Besimi që më dha Presidenti Kombëtar Ing. Hajredin Fratari dhe Konfindustria Shqiptare me nderon. Shpresoj se do të arrij shumë shpejt rrezultatet tashmë të konsoliduara në këto vitet e fundit në punën time për promovimin e Shqipërisë dhe organizatës së Konfindustrias Shqiptare''.

Bruno Maurizio, imprenditor: ''Shpresoj të kthehem. U ndjeva dhe shqiptar këto dite''

''Eshtë gabim të mos investosh në Shqipëri. Vura re që vendi ka potenciale të jashtëzakosnhme, meritojnë vëmëndjen e investitorëve italiane. Ka potenciale në shumë fusha dhe lehtësira në taksa dhe pak burokraci etj.

Unë jam jashtëzakonisht i lumtur që pata mundësinë të isha këtu dhe do të doja shumë që të kthehesha kësaj here me projekte konkrete për investim. Vendi ka energji të reja, ka vitalitet. Shpresoj të kthehem. U ndjeva dhe shqiptar këto dite.